Falimentimi i gjigantëve evropianë të aviacionit nuk pritet të kalojë pa pasoja edhe për pasagjerët kosovarë. Këta të fundit së shpejti pritet të ballafaqohen me shtrenjtim të aviobiletave, pasi që në treg do të mbeten vetëm lojtarët e mëdhenj të aviacionit, të cilët do ta shfrytëzojnë monopolin për ngritje të kostos së udhëtimeve.
Kështu thonë drejtuesit e agjencive turistike kosovare, sipas të cilëve në shtrenjtimin e kostos së fluturimeve ajror ka ndikim edhe kriza në Gjirin Persik, ku kerozina për avionë është shtrenjtuar dukshëm.
“Aviacioni shumë shpejt do të shndërrohet në luks për shumë pasagjerë”, paralajmëron drejtuesi i agjencisë më të madhe turistike kosovare “Eurokoha”, Remzi Ejupi.
Kjo bindje Ejupit i është forcuar edhe më shumë pas falimentimit të fundit të aviokompanisë së njohur hungareze “Malev”, e cila organizonte shumë fluturime nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës për dhe nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.
“Pas falimentimit të Malev-it dhe aviokompanive të tjera evropiane, në treg do të mbesin vetëm aviokompani të fuqishme, të cilat do ta shfrytëzojnë monopolin me ngritje të çmimit të biletave”, shprehet Ejupi.
Ejupi sqaron se tregu kosovar i “Malev-it” mund të bjerë në duar të aviokompanive austriake dhe turke, ndërsa shumë kompani më të vogla vështirë se mund t’i përballojnë falimentimit.
“Malev” së fundi pushoi të gjitha fluturimet për shkak të vështirësive të mëdha financiare, ndërkohë mijëra pasagjerë u ballafaquan me humbje të fluturimeve të planifikuara në aeroporte të ndryshme botërore.
Një fat të tillë e patën edhe shumë pasagjerë kosovarë, kryesisht emigrantë, të cilët u ankuan se kjo vonesë u kushtoi me humbje të punës.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare për mbrojtje të konsumatorëve thonë se në Kosovë nuk mund të flitet për mbrojtje të të drejtave të konsumatorëve.
“Në momentin kur u paralajmërua falimentimi i “Malev-it”, automatikisht institucionet kosovare është dashur ta riaktualizojnë çështjen e garancisë financiare për aviokompanitë, e cila do të shfrytëzohej për kompensim të konsumatorëve të dëmtuar nga pushimi i fluturimeve”, thotë Selatin Kaçaniku, drejtues i OJQ-së “Konsumatori”.
Sipas tij, konsumatorët që kanë humbur punën dhe planifikimet tjera duhet të mbrohen nga institucionet e Kosovës, e jo nga ato të Hungarisë.
Ai thotë se të shpeshta janë rastet kur konsumatorët kosovarë u kanë paguar bileta aviokompanive, apo agjencioneve të ndryshme turistike dhe nga papërgjeshmëria e tyre kanë mbetur duke pritur me ditë të tëra dhe pa kurrfarë përkujdesjeje në aeroporte të ndryshme.
“Këto raste janë shndërruar në diçka të zakonshme në Kosovë. Shumë udhëtarë gjatë verës mbesin aeroporteve të ndryshme nga papërgjegjshmëria e kompanive që u kanë shitur biletat”, potencon Kaçaniku, duke shtuar se kjo tregon edhe për dështimin institucional në mbrojtje të konsumatorëve.
“Malev” është themeluar në vitin 1946 dhe është konsideruar si “krenaria” e Hungarisë. “Malev” ka akumuluar borxhe prej 270 milionë dollarë dhe shpallja e falimentimit u bë i pashmangshëm, pasi qeveria e përfshirë në vështirësi financiare më parë gjatë javës të ndërpriste subvencionet e saj për kompaninë.
Lajmi për falimentimin e “MALEV-it” vjen disa ditë pasi kompania spanjolle “Spanair” shpalli gjithashtu përfundimin e operacioneve, pas ndërprerjes së subvencioneve qeveritare, për shkak të krizës ekonomike. Falimentimit nuk i shpëtuan edhe aviokompani gjermane, italiane, përderisa kompania “American Airlines” reduktoi një numër të konsiderueshëm të stafit për t’i shpëtuar falimentimit.
Xhungla turistike
Në fillim të këtij muaji, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-168 për turizmin dhe shërbimet turistike, i përgatitur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
Sipas Ministrisë, projektligji rregulln marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike dhe subjekteve tjera në Republikën e Kosovës, në kuptim të kompetencave që kanë të bëjnë me turizmin, marrëdhëniet ndërmjet personave fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, që ushtrojnë veprimtari turistike.
Mirëpo, për Remzi Ejupin nga “Eurokoha”, institucionet e Kosovës në vazhdimësi po dështojnë ta miratojnë një ligj të mirëfilltë për turizmin, me ç’rast tregu i aviacionit është shndërruar në një treg të përshtatshëm për kompanitë e papërgjegjshme.
Ai thotë se drejtuesit e agjencive turistike kosovare asnjëherë nuk janë ftuar nga institucionet për t’i marrë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre për hartimin e një baze të mirëfilltë ligjore për turizmin.
”Drejtuesit e agjencive turistike tashmë të dëshmuara kosovare nuk po ftohen për t’i marrë rekomandimet e tyre për hartimin e një ligji të mirëfilltë, prandaj konsumatorët kosovarë janë të pambrojtur”, pohon Ejupi